A lëndojnë disa tinguj? (Me dhe pa humbje të dëgjimit)

• Rreth dëgjimit
Nëse jeni duke qendruar në një dhomë ku dikush godet me thonj mbi tavolinë, tërhiqet vëmendja se sa të pakëndshëm mund të jenë disa tinguj. Sigurisht, disa njerëz kanë një ndjeshmëri më të lartë ndaj tingujve se të tjerët. Shumica e njerëzve reagojnë negativisht ndaj tingujve tepër të lartë ose tingujve shumë të mprehtë, por për të tjerë duken dërrmuese edhe tingujt e zakonshëm të përditshëm.
Ndjeshmëria ndaj zhurmave prek njerëzit me humbje sensoroneurale të dëgjimit, ose ato me probleme të moshës. Përveç kësaj, njerëzit që përjetojnë zhurmë në vesh mund të kenë gjithashtu mbindjeshmëri ndaj disa tingujve.
Për të luftuar efektin e pakëndshëm të tingujve që lëndojnë, është e rëndësishme të njihen llojet e ndryshme të mbindjeshmërisë së zërit. Duke njohur arsyen e një dëgjimi tepër të ndjeshëm, mund të ndërmerren hapa për të zgjidhur problemin dhe për të përmirësuar përvojat dëgjimore.
Lloje të ndryshme të ndjeshmërisë së zërit
• Zhurmat e forta
Për njerëzit me funksion normal të dëgjimit zakonisht zhurmat shumë të larta janë të pakëndshme. Zhurmat brenda një diapazoni frekuencash prej 2000 deri në 5000 Hz dihet se janë veçanërisht të vështira për t’u dëgjuar. Kjo për dy arsye:
Së pari, funksioni i dëgjimit dëmtohet kur ekspozohemi ndaj zhurmave të forta. Në fakt, çdo zhurmë mbi 85 decibel shkakton humbje të dëgjimit. Tingujt e lartë dëmtojnë nervat, membranat dhe qelizat e veshit të brendshëm, prandaj këto tinguj ndihen si zhurmë e pakëndshme. Duke qenë se këto zhurma janë kaq të pakëndshme, njeriu detyrohet të largohet nga ky mjedis, jo vetëm për të shmangur bezdinë, por edhe për të mbrojtur funksionin e dëgjimit.
Së dyti, studimet kanë treguar se truri ynë reagon ndryshe ndaj tingujve me zë të lartë, veçanërisht atyre brenda një diapazoni të frekuencës 2,000 deri në 5,000 Hz. Edhe pse nuk është kuptuar plotësisht pse ndodh kjo, studimet imazherike kanë konfirmuar se një pjesë e veçantë e trurit, amigdala (bajamja), bëhet aktive kur dëgjohen zhurma në ato nivele. Meqenëse amigdala është përgjegjëse për reagimet emocionale, kjo shpjegon pse këto zhurma të larta bëjnë të përjetohet një ndjenjë shqetësimi, frike apo edhe paniku.
• Hiperakuzia (mbidëgjim)
Njerëzit me funksion normal të dëgjimit mund të tolerojnë zhurma deri në 85-95 decibel përpara se të përjetojnë bezdisjen nga zhurma. Megjithatë, në rastet e mbidëgjimit, aftësia e individit për të toleruar zhurmën ulet. Për fat të mirë, hiperakuzia mund të trajtohet duke përdorur aparate dëgjimi. Aparatet e dëgjimit që gjenerojnë zhurmë rozë, veprojnë si pajisje maskuese që minimizojnë ndikimin e tingujve të lartë dhe zhurmës së mjedisit rrethues. Në mjedis me zhurma të larta këshillohet mbajtja e kufjeve apo tapave kundra zhurmës.
• Rekrutimi (plotësim)
Kjo lloj ndjeshmërie ndaj tingullit në përgjithësi prek njerëzit që kanë pësuar një fare humbje dëgjimi. Kur funksioni i dëgjimit bie, ndodh sepse qelizat nervore që perceptojnë tingujt janë dëmtuar. Shkalla e dëmtimit do të përcaktojë se cilat tinguj dhe frekuenca nuk dëgjohen.
Ekspozimi ndaj një zhurme me lartësi ose frekuencë të caktuar, nuk arrin të dëgjohet si pasojë e humbjes së dëgjimit në një shkallë të caktuar. Nëse ato bëhen më të zhurmshme, pra ndryshon frekuenca dhe lartësia e tingullit, tingulli mund të dëgjohet. Ky ekspozim i papritur ndaj zhurmës së re e bën tingullin të pakëndshëm dhe mund të shpjegojë pse njerëzit me humbje të dëgjimit shpesh raportojnë rritje të ndjeshmërisë ndaj tingujve të veçantë; tipike për sëmundjen e Menierit.
Kur zhurma bëhet më e fortë, qelizat normale që janë pranë qelizave të dëmtuara ‘rekrutohen’, pra vihen në punë. Një person me rënie dëgjimi mund të mos jetë në gjendje të dëgjojë një televizor në nivelet e volumit 30-45, por nëse volumi ngrihet në 46, bëhet shumë i zhurmshëm për personin në fjalë. Kjo është për shkak se vëllimi midis 30-45 nuk kapet nga qelizat e dëmtuara, por, në nivelin 46, rekrutohen qelizat e padëmtuara.
Përdorimi i aparateve të dëgjimit mund të përmirësojë shumë këtë lloj ndjeshmërie ndaj zërit.
• Dëgjim me mbindjeshmëri
Disa njerëz lindin thjesht me mbindjeshmëri ndaj tingujve të caktuar. Në mënyrë tipike, individët janë të mbindjeshëm vetëm ndaj tingujve që janë në një frekuencë të caktuar, megjithëse kjo ndryshon nga personi në person. Në varësi të nivelit të mbindjeshmërisë, edhe tingujt e përditshëm dhe zhurma e sfondit mund të jenë shqetësuese.
Njerëzit me autizëm ndonjëherë përjetojnë dëgjim tepër të mbindjeshëm. Megjithatë, me terapinë e integrimit dëgjimor, mbindjeshmëria e një personi mund të reduktohet, gjë që i mundëson atij të tolerojë tingujt pa pasur një reagim negativ.
• Mizofonia
Njerëzit me misofoni kanë një mospëlqim të fortë ndaj tingullit. Ndryshe nga ndjeshmëritë e tjera të zërit, misofonia nuk kufizohet vetëm me tingujt e lartë. Në fakt, tingujt e butë shpesh mund të jenë zakonisht shqetësues për njerëzit me misofoni. Terapia e zërit përdoret shpesh për të trajtuar misofoninë, por disa njerëz zbulojnë se pajisjet maskuese dhe zhurma e bardhë mund t’i ndihmojnë ata të përballojnë ekspozimin ndaj zhurmës në mënyrë më efektive. Sidoqoftë, raste të tilla duhet të marrin një kontakt me mjekun e familjes, mjek ORL apo dhe neurolog.
• Trajtimi i ndjeshmërisë ndaj tingujve
Siç mund ta shihni, ka shumë shkaqe të çrregullimit të ndjeshmërisë së dëgjimit. Për të siguruar që ndjeshmëria të trajtohet siç duhet, është e rëndësishme të kërkohen këshilla nga profesionistë të kualifikuar të kujdesit dëgjimor apo mjek ORL.
Nëse tashmë individi ka pësuar humbje të përhershme të dëgjimit, vendosja e aparateve të duhura të dëgjimit mund të minimizojë ndjeshmërinë e gabuar ndaj tingujve dhe të përmirësojë funksionin e dëgjimit.
Signia Hearing Aids

Fakte interesante rreth dëgjimit dhe humbjes së dëgjimit

1 / 3

Fakte interesante rreth dëgjimit dhe humbjes së dëgjimit

 

 

 

Kur bëhet fjalë për humbjen e dëgjimit, veçanërisht për llojet e humbjes së dëgjimit, shumë njerëz nuk kanë dijeni sa duhet. Pra, po përpiqemi të përmbledhim faktet më interesante rreth dëgjimit për më shumë njohuri. Nga ruajtja e shëndetit të dëgjimit deri te përdorimi i aparatit të dëgjimit.

1. Humbja e dëgjimit nuk është ekskluzive vetëm për të moshuarit – Shumica e rasteve ndodhin tek ata nën 65 vjeç.

Shumë shpesh, njerëzit mendojnë për humbjen e dëgjimit si një problem i ‘të moshuarve’. Por në fakt, shumë raste të humbjes së dëgjimit ndodhin nën moshën 65 vjeç. Është e vërtetë që njerëzit e moshuar kanë më shumë gjasa të kenë humbje degjenerative të dëgjimit.

Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të jenë nga më të ndryshmet. Një ekspozim i vetëm ndaj zhurmës së lartë (e shtënë me armë zjarri në një mjedis të mbyllur) mund të çojë në dëmtim të përhershëm të dëgjimit, zhurma e vazhdueshme e mjedisit të jashtëm është një tjetër shkak. Në terma shkencorë, mbi tetë orë ekspozim në një zhurmë 90 dB do të dëmtojë dëgjimin në mënyrë të pakthyeshme.

Faktorët gjenetikë mund të jenë shkaqe të zakonshme për humbjen e dëgjimit. Këto shpesh ndodhin në një moshë më të re. Pra edhe sëmundje të tjera që prekin veshin në moshë të re, mund të dëmtojnë dëgjimin.

2. Dylli i veshit shkak bllokues i veshit

Dylli i veshit është një kombinim ngjitës i sekrecionit që prodhon lëkura e kanalit të veshit me qelizat që bien nga lëkura e kanalit të veshit. Ai formon një barrierë mbrojtëse brenda veshit të jashtëm, duke e mbajtur zonën të pastër dhe të shëndetshme. Pra, nga ky këndvështrim, prania e dyllit është e nevojshme.

Pavarësisht se dylli i veshit është një filtër aktiv, ka disa raste ku mund të bëhet problem. Kur grumbullohet me shumicë, bllokon kanalin e veshit, bie dëgjimi. Duhet një vizitë te mjeku ORL

2 / 3

nëse dylli po shkakton probleme me humbjen e dëgjimit ose probleme të tjera. Por në përgjithësi, veshi dhe dylli duhen lënë të qetë, me përjashtim të rasteve kur veshi bllokohet

3. Veshi nuk ndalon së dëgjuari – edhe natën në gjumë

Gjatë gjumit proçeset specifike ngadalësohen, por trupi nuk ndalet kurrë. Pra organizmi merr frymë, tretë ushqimin, etj. Por një funksion i trupit që nuk pushon është dëgjimi. Edhe në një gjumë të thellë, kapen valët zanore që kalojnë nëpër kanalin e veshit dhe interpretohen nga truri gjithmonë i gatshëm. Më pas truri zgjedh nëse do të bllokojë zhurmën, plotësisht ose jo, në mënyrë autonome. Si analogji, syri flë. por njeriu sheh ëndrra

Kjo është arsyeja pse zhurmat e forta, një fëmijë duke qarë, diçka që bie ose një alarm që bie, na zgjojnë natën. Ne jemi gjithmonë duke dëgjuar, pavarësisht nëse duam apo jo. Në të kundërt, kur dëgjojmë zëra në ëndrrat tona, kjo krijohet tërësisht nga truri. Veshët tanë, ose nervat e dëgjimit, nuk përfshihen në proçesin e krijimit të tingujve. Vetëm mendjet tona e arrijnë këtë gjë.

4. Veshët janë ndër pjesët më thelbësore të sistemit të balancimit

Nëse keni pasur ndonjëherë një infeksion të veshit, ka të ngjarë të keni ndjerë ndjenjën e të qenit jashtë ekuilibrit. Kjo është për shkak se veshët ndikojnë drejtpërdrejt në ekuilibrin e trupit. Veshi i brendshëm është plot me lëngje, të cilat lëvizin sipas pozicionit të trupit duke sinjalizuar një pozicion të caktuar drejt e në tru. Një nga simptomat më të rëndësishme të një infeksioni të veshit është marramendja. Kjo gjendje shpesh ju bën të ndiheni të trullosur dhe shpesh mund të çojë në të përziera.

I kombinuar me sytë dhe nyjet, muskujt e tendinet, veshi i brendshëm përbën një pjesë të aftësisë së njeriut për të ruajtur balancën. Shenja të tjera paralajmëruese të çrregullimit të ekuilibrit përfshijnë animin në një drejtim më shumë se tjetrin ose rrëzimin që ndodhë më shpesh. Nëse keni probleme me humbjen e ekuilibrit, duhet të merrni kontakt me mjekun e familjes apo me një mjek ORL. Një infeksion i veshit të mesëm që shkakton marrje mendsh konsiderohet gjëndje e rëndë.

5. Përdorimi i një aparati dëgjimi mund të parandalojë përkeqësimin e humbjes së dëgjimit

Një tjetër fakt për të cilin mund të mos jeni në dijeni. Aparatet e dëgjimit mund të ofrojnë një mënyrë për të parandaluar përkeqësimin e humbjes së dëgjimit. Disa lloje të humbjes së dëgjimit gjenetike ose të lidhur me moshën nuk mund të shmangen; humbje dëgjimi me shkaqe të tjera mund të regullohen. Ajo që ofrojnë aparatet e dëgjimit është një mënyrë për të kuptuar më mirë tingujt. Aparati i dëgjimit nuk vepron drejtpërsëdrejti në sëmundjen e veshit; ajo ndihmon trurin të qëndrojë aktiv dhe i angazhuar.

Aparatet e dëgjimit ndihmojnë trurin për të kuptuar tingujt dhe informacionin që vjen. Pra, nëse vonohet vënia e një aparati dëgjimi, truri humbet aftësinë për të kuptuar fjalën. Ndodh ajo dukuri që njihet si diskriminim i të folurit. Pacienti që vë apparat dëgjimi me vonesë do të dëgjojë, por nuk do të kuptojë asgjë që thuhet.

 

Signia Hearing Aids