ÇRREGULLIMET E PROÇESIMIT DËGJIMOR

Në këto lloj çrregullimesh problemi është në tru. Me këtë term mbulohen disa nga këto çrregullime që konsistojnë nga çarja lidhjeve të proçesit të dëgjimit dhe të kuptuarit të fjalës. Pra njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim nuk janë në gjëndje të kuptojnë plotsisht informacionin që përmban zëri. Kjo nuk do të thotë se ky çrregullim është i pakorigjueshëm, por sjell vështirësi në kuptimin e fjalës apo subjekti të orientohet se nga është burimi i zërit.

Çrregullimi i proçesimit hapsinor  

Ky është çrregullimi më i shpeshtë që ndodhë në të moshuar, apo në njerëz që për shumë kohë nuk kanë dashur apo nuk kanë patur mundësi t’i nënshtrohen proçedurave riaftësuese. Në këtë rast truri nuk të jep mundësinë të dallosh burimin e zërit ose të ngatërron se nga vijnë zëra të ndryshëm. Në fëmijë dhe në mosha të reja janë të rralla këto gjëndje.

Trajtimi

Këto raste trajtohen në qëndra të specializuara logopedike, natyrisht pasi të jenë paisur me aparate dëgjimi.

SËMUNDJA E MENIERIT

Njihet ndryshe si hidropsi endolimfatik idiopatik që do të thotë një rritje e presionit të lëngjeve të veshit të brëndshëm. Karakterizohet nga kriza me marrje mendsh, pështjellime ose të vjella, rënie e aftësisë së dëgjimit, zhurmë në vesh, ndjenja e mbushjes së veshit apo dhëmbje e lehtë. Termi idiopatik do të thotë se shkaqet nuk njihen. Mund të prekë të gjitha moshat, por më shumë ndeshet në moshën 20-50 vjeç. Në shumicën e rasteve preket vetëm njëri vesh.

Shënjat

Karakterizohet nga kriza që u përshkrua më lart, e cila zgjat nga 20 min. deri në 2-3 ditë.Para se të fillojë kriza i sëmuri ndjen sikur veshi është i bllokuar apo i rënduar. Krizat janë të rralla nëse i sëmuri mjekohet në rregull dhe ndjekë këshillat e mjekut, por mund të jenë të shpeshta nga një mjekim jo i rregullt. Nganjëherë krizat e shpeshta nuk varen nga mjekimi i rregullt ose jo, por në raste të tilla dëgjimi shkon drejt humbjes. Në rastet rezistente ndaj mjekimit kryhen proçedura gjysëm kirurgjikale apo kirurgjikale.

Në kohën e krizës dhe disa orë pas krizës dëgjimi bie për tonet e ulta. Njërë vesh dëgjon ndryshe nga tjetri, jo vetëm nga lartësia e tingullit, por edhe nga cilësia e tingulli, njohur si distorsion i tingullit.

Trajtimi 

Qëllimi i mjekimit është të shuaj krizën dhe të largojë sa më shumë krizat njëra nga tjetra. Në kohën e krizës jepen lëndë diuretike në mënyrë që të shkarkojnë lëngjet e veshit të brëndshëm. Më tej vazhdohet mjekimi me mjete që rregullojnë qarkullimin e gjakut në veshin e brëndshëm. ndërkohë i sëmuri këshillohet të eliminojë kripën në ushqim dhe të kufizojë pirjen e lëngjeve që përmbajnë kafeinë.

ZHURMA E VESHIT (TINNITUS)

Është një sensacion i tillë ku individi ndjen zhurmë në vesh, që e paraqet si zhurmë motori, si gjinkallë, si zile apo si rrahje pulsi, kur në mjedisin rrethues nuk ka zhurmë.   Është e përkohshme në disa sëmundje të veshit, që me trajtimin e sëmundjes, zhurma zhduket, ose e përhershme, por e trajtueshme me vështirësi, që mund ta çojë këtë individ në gjëndje ankthi   e stresi. Shkaqet janë të njohura si ekspozimi i gjatë në mjedise me zhurmë, sëmundja e Menierit, gjëndjet e hiperakuzisë, sëmundje që dëmtojnë nervin e dëgjimit, etj., por shumë herë shkaqet mbeten të panjohura.

Shënjat 

Nuk ka shënja specifike, por bazohemi vetëm në ankesën e të sëmurit. Kërkohet një ekzaminim i thelluar i veshit, matje e dëgjimit, analiza të përgjithshme të gjakut deri skaner e resonancë e kokës.

Trajtimi 

Është i vështirë. Zakonisht jepen qetësues të ndryshëm. Mundësi të tjera janë seancat e trajtimit psikologjik në grupe individësh që vuajnë nga kjo gjëndje. Qëllimi është që një individ i tillë duhet të mësohet të jetojë me këtë zhurmë. Mundësi tjetër është përdorimi i aparateve që maskojnë zhurmën e veshit ose porositet që të dëgjojë radion ose televizorin aq sa mos të dëgjojë zhurmën e vet. Nëse ka rënie të aftësisë së dëgjimit është e këshillueshme vendosja e aparateve të dëgjimit që shërbejnë jo vetëm për përmirësimin e aftësisë së dëgjimit, por maskojnë edhe zhurmën e veshit.

NEUROPATIA DËGJIMORE 

Është një problem i dëgjimit që ka të bëjë me vështirësinë e përcjelljes së sinjalit elektrik nëpërmjet nervit, nga veshi në tru.

Ky funksion i nervit mund të preket në shumë mënyra, por ajo më e zakonshmja është që nervi nuk i përcjell njëkohësisht sinjalet elektrike. Si rezultat ndodh i ashtuquajturi distorsion i tingullit, ku zërin e dëgjon ndryshe, apo dëgjon por nuk kupton fjalët që i thuhen. Mund të shfaqet që në lindje nga trauma, apo mund të jetë pasojë e zverdhtit pas lindjes që persiston 2-3 ditë. Format progressive të kësaj neuropatie mund të jenë sëmundjet nervore si ataksia e Friedreich apo sëmundja Charcot-Marie ku preken grupe nervash.

Shënjat e neuropatisë dëgjimore 

Janë pak a shumë si ato të çrregullimeve të proçesimit, pra dëgjon por nuk kupton fjalën e folur. Orientohen më mirë në hapsirë, pra e dikton se nga i vjen zëri. Shumë herë zbulohet kur vihet aparat dëgjimi, sepse nuk kënaqen nga vendosja e aparatit.
Trajtimi 

Zgjidhja e vetme është protezimi akustik pra vendosja e aparateve të dëgjimit (digital, për një fitting të saktë), apo implanti koklear. Më tej edukimi logopedik.

DËMTIMI I DËGJIMIT NGA ZHURMA 

Rënia e aftësisë së dëgjimit nga ekspozimi në zhurma të larta apo plasëse për një kohë të gjatë është e tipit sensoroneural dhe është e përhershme. Ndodh si pasojë e mbingacmimit të qelizave të dëgjimit që çojnë në dëmtimin e nervit të dëgjimit në mënyrë të pakthyeshme.

Rënia e aftësisë së dëgjimit mund të jetë dhe e përkohshme në ndonjë rast të ekspozimit të veshëve pranë bokseve të muzikës për një periudhë kohe 2-3 orë, apo nga plasja e një shashke. Në raste të tilla dëgjimi rikthehet pas 16-48 orësh.

Kjo lloj rënie e aftësisë së dëgjimit është e parandalueshme.
Shënjat

Është e vështirë të diktohet që në krye të herës, sepse rënia e aftësisë së dëgjimit është graduale. Fillimisht preken frekuencat e larta. Kur dëgjimi fillon të bjerë në frekuencat e mesme, subjekti do të ketë vështirësi në kuptimin e fjalës së bashkëbizeduesit. Sidoqoftë, shënja paralajmëruese janë:

  • Paaftësi të dëgjojë tinguj me frekuencë të lartë
  • Paaftësi të kuptojë fjalën e folur në mjedis me zhurmë
  • Tendencë për të ngritur potenciometrin e radios apo televizorit.

Nëse nuk merren masa parandaluese, gjëndja shkon drejt rëndimit të mëtejshëm.
Trajtimi

E vetmja mënyrë është protezimi akustik, pra vendosja e aparateve të dëgjimit, sepse mjekim nuk ka. Çdo subjekt që fillon punë në një mjedis me zhurmë detyrimisht duhet të bëjë një matje të dëgjimit (audiogramë) dhe më tej kjo të përsëritet çdo vit. Punonjësi në një mjedis me zhurmë detyrimisht duhet të mbajë kufie dhe muffle për të mbrojtur veshët. Në vendet e punës herë pas here duhet matur niveli i zhurmës; sa më e lartë zhurma, aq më pak duhet të jetë kohëzgjatja e punës, p.sh. në bankoprovat e avionëve luftarakë, dita e punës është vetëm 45 min.

 

HIPERAKUZIA (MBIDËGJIM)

Është një gjëndje e tillë kur subjekti dëgjon më fort një tingull se ç’është ai realisht, pra një zë i lartë e bezdisë shumë, sa detyrohet të mbyllë veshët me duar. Kjo gjëndje ka të bëjë me ate se si truri proçedon me frekuenca të veçanta të tingullit. Edhe disa semundje të veshit të brëndshëm mund të japing herë pas here mbindjeshmëri të dëgjimit. Në disa raste mund të ndodhë si rezultat i traumës së kokës apo kirurgjisë në kokë. Po kështu edhe zhurma e veshit e njohur si tinnitus e shqetson një pacient që vuan nga veshi dhe në disa raste kur nuk trajtohet krijon gjëndje stresi, ankth dhe fonofobi (frika nga zhurma).

Shënjat

Ndryshojnë nga një person te tjetri. Dikush nuk duron zhurmën e trafikut; një tjetër zhurmën e makinerive apo zhurmat gervishëse e fishkëllimat. Nganjëherë shoqërohet me dhëmbje veshi dhe marrje mendsh (efekti Tullio).

Dy tipet më të zakonshme janë:

–  Hiperakuzia kokleare kur dëmtimi ndodhë brënda kërmidhit, tingulli nuk filtrohet dhe truri bëhet më i ndjeshëm    ndaj disa frekuencave të zërit.

–  Hiperakuzia vestibulare kur preket sistemi i ruajtjes së ekuilibrit dhe një zhurmë e caktuar mund të provokojë humbje ekuilibri, pështjellim deri në ndjenjën e rënies.

Trajtimi  

Është i vështirë. Në format vestibulare mund të realizohen ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa në format kokleare këshillohet mbyllja e veshëve me mufle.

PRESBIAKUZIA 

Është një rënie e aftësisë së dëgjimit e tipit sensoroneural që vjen si pasojë e mplakjes së organizmit në përgjithsi,   apo mplakjes së sistemit dëgjimor. Rënia e dëgjimit vjen në mënyrë progressive. Fillimisht preken tonet e larta, mandej gradualisht preken edhe tonet më të ulta, pra ato të bizedës. Është e përshpejtuar në njerëz që kanë punuar në mjedise me zhurma, përdorimi i ilaçeve të shumta gjatë jetës, apo sëmundje të përgjithshme si diabeti ose sëmundjet kardiovaskulare.

Shënjat 

Nuk kuptojnë bashkëbizeduesin në një mjedis me zhurmë, apo ngatërrojnë fjalë që tingëllojnë të përafërta p.sh.

Si ke ndje Pepë

Po mbjedh do qepë

A e ke pa Palokën

Haram asnji kokërr 
Është përllogaritur se rreth 40% e njerëzve mbi moshën 65 vjeç vuajnë këtë problem.
Trajtimi

Nuk ka mjekim. Subjekti duhet t’i nënshtrohet një vizite te mjeku otorinolaringolog apo audiolog, të kryhet një audiogramë (matje e dëgjimit) dhe mbi ate bazë të përzgjidhet një aparat dëgjimi i përshtatshëm për nivelin e dëgjimit që ka subjekti.

MARRJA MENDSH (VERTIGO) 

Çrregullimet e ekuilibrit ndeshen shpesh në popullatë dhe subjekti që e pëson nuk ndjehet mire;   jeton me një gjëndje ankthi e frike. Çrregullimet e ekuilibrit përfshijnë gjëndje të tilla që i sëmuri mund t’i tregojë si humbje ekuilibri, ecën si i dehur, e merr njëra anë, apo marrje mendsh e vërtetë (i duket sikur i rrotullohet mjedisi nga njëra anë në tjetrën, ose rrotullohet ai vetë). Kjo gjëndje mund të shoqërohet me dhëmbje koke, pështjellime, të vjella, djersë, zhurmë në veshë dhe rënie të aftësisë së
dëgjimit.

Në përshkrimin që i bëmë veshit të brëndshëm, përmendëm vestibulin dhe kanalet gjysëmrrethore, që është një organ tepër kompleks, ndaj e kanë quajtur dhe labirint. Ai i siguron trurit informacion mbi ballancën, gravitetin dhe orientimin në hapsirë. Ky informacion i përpunuar në tru i rikthehet organit të të parit, muskujve dhe artikulacioneve, çka përcakton qëndrimin e trupit në hapsirë.

Kur preket një pjesë e këtij sistemi të ndërlikuar shfaqen çrregullimet e ekuilibrit.
Shkaqet 

Disa sëmundje që shkaktojnë marrje mendsh kur kur preket veshi i brëndshëm janë:

  • Marrje mendsh e pozicionit beninj. Karakterizohen nga marrje mendsh që zgjasin disa sekonda, kur ndrron pozicionin e trupit në shtrat apo kur ngrihet e ulet.
  • Labirintiti. Është një infeksion i veshit të brëndshëm që paraqitet me marrje mendsh të forta, të vjella, temperaturë e lartë, zhurmë në vesh dhe rënie apo humbje e aftësisë së dëgjimit.
  • Sëmundja e Menierit.

Të tjerë shkaktarë mund të jenë:

  • Konsumi i alkolit
  •   Migrena
  • Dehidrimi
  • Traumat e kokës
  •   Përdorimi i disa lloj barnash
  • Sëmundja e detit

Trajtimi 

Është në varësi të shkakut të sëmundjes. Është e nevojshme vizita te mjeku otorinolaringolog, i cili do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me sëmundje të veshit apo ndonjë problem tjetër më në thellësi.