Si funksionon veshi (akti dëgjimor)

Veshi është organ tepër i rëndësishëm me anë të të cilit realizohet dëgjimi dhe ekuilibri. Dëgjimi vlen për të komunikuar me botën dhe gjithashtu për të marrë sinjale apo zhurma që ne duhet të ruhemi. Akti i dëgjimit fillon që me goditjen që i bën energjia zanore veshit, më tej gjatë rrugës kjo energji zanore-mekanike kthehet në energji elektrike, që nëpërmjet nervit të dëgjimit përcillet deri në tru.

Vala e tingullit, pra energjia zanore ndjek rrugën nëpërmjet këtyre seksioneve:

Veshi i jashtëm

Veshi i mesëm

Veshi i brëndshëm   (koklea, vestibuli, kanalet gjysmë rrethore)

Rënia e dëgjimit ndodh kur një nga këto pjesë nuk luan rrolin e saj përcjellës apo ndodhin dëmtime të nervit të dëgjimit deri në tru. 

 

Veshi i jashtëm (Outer Ear)

Përbëhet nga llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit; kap tingujt dhe i drejton në daullen e veshit nëpërmjet kanalit të jashtëm të dëgjimit.

Veshi i mesëm (Middle Ear)

Fillon me daullen e veshit (Tympanic membrane) e cila luhatet nga presioni i valëve të tingullit. Daullja e veshit është e lidhur me kockëzat dëgjimore që janë çekiçi (malleus), kudhra (incus) dhe yzengjia (stapes), të vendosura në radhë njëra pas tjetrës dhe luhaten së bashku me daullen e veshit. Yzengjia i përcjell luhatjet në veshin e brëndshëm.

Veshi i brëndshëm (Inner Ear)

Përbëhet nga dy pjesë: Kërmidhi (Cochlea) që merret me dëgjimin dhe vestibuli me kanalet gjysmë rrethore (semicircular canals) që merren me ekuilibrin. Kërmidhi është një organ që kthene nergjinë zanore në energji elektrike, pra në sinjale që kapen nga qelizat dëgjimore për frekuenca të ndryshme. Korenti elektrik që prodhohet nga kërmidhi i transmetohet nervit të dëgjimit dhe më tej kalon në koren e trurit, ku bëhet analiza dhe interpretimi i zërit.

Shumë probleme që karakterizohen me humbjen e ekuilibrit shoqërohen edhe me rënie të aftësisë së dëgjimit.