Rënia e aftësisë së dëgjimit

Rënia e aftësisë së dëgjimit ndodh kur një nga pjesët e veshit nuk funksionon normalisht apo rruga nervore dhe truri mund të janë të dëmtuar. Rënia e aftësisë së dëgjimit mund të jetë e lehtë deri në humbje të rëndë apo të thellë. Mund të shfaqet që në lindjen e fëmijës apo fitohet gjatë jetës. Mund të jetë e menjëhershme apo graduale. Rënia e aftësisë së dëgjimit mund të jetë barabar në të dy veshët, ose mund të ndryshojë nga njëri vesh te tjetri.

Hapi i parë për që duhet të bëjë një person që ankohet nga rënia e aftësisë së dëgjimit është vizita te mjeku otorinolaringolog.

Tipet e rënies së aftësisë së dëgjimit

Janë katër:

– Rënie përcjellore e aftësisë së dëgjimit (anomali apo sëmundje të veshit të jashtëm e të mesëm).

– Rënie sensoro-neurale (dëmtime apo sëmundje të nervit të dëgjimit).

– Rënie e përzjerë (përcjellore dhe sensoroneurale).

– Çrregullime të proçesimit në zonën dëgjimore të trurit.

Shkaqe më të shpeshta të rënies së aftësisë së dëgjimit

· Proçesi natyral i mplakjes e njohur si presbiakuzia (rënie sensoroneurale e përhershme).

· Predispozicion gjenetik që mund të fillojë pas lindjes spo më vonë gjatë jetës.

· Sëmundjet e veshit të mesëm.

· Ekspozimi në zhurma të forta (mbi 70 dB).

· Traumat e kokës apo operacione të veshit (rënie përcjellore të përkohshme apo të përhershme si dhe rënie sensoroneurale të përheshme).

· Ekspozimi ndaj disa lëndëve kimike apo barnave që dëmtojnë qelizat e dëgjimit (rënie sensoroneurale e përhershme).

· Truri nuk është i aftë të realizojë proçesin e dëgjimit (i sëmuri dëgjon me ose pa aparat dëgjimi, por nuk kupton fjalët).

· Kombinime të shkaqeve të mësipërme, pra nëse gjatë jetës ka qenë i ekspozuar në zhurma, me kalimin e moshes shtohet edhe presbiakuzia.

Rënia e aftësisë së dëgjimit ankohet nga subjekti, por vlerësohet nga mjeku otorinolaringolog, audiolog apo audiometrist nëpërmjet provave dëgjimore.

Efektet e rënies së aftësisë së dëgjimit

Rënia e aftësisë së dëgjimit ka pasoja në komunikimin e përditshëm, pra prek cilësinë e jetës, por kjo është në varësi të nivelit të rënies së dëgjimit. Eksperienca më e përgjithshme është kur

subjekti nuk është i aftë të kuptojë plotësisht ate çka thotë bashkbizeduesi, sidomos në mjedise me zhurmë. Pra krijohet një impakt në familje, shkollë, shoqëri dhe punë.

Impakti në fëmijtë me rënie të aftësisë së dëgjimit

Studime të ndryshme kanë treguar se fëmijtë me rënie të lehtë apo të moderuar të dëgjimit kanë vështirësi në të mësuar dhe zhvillimin e gjuhës së folur. Mbeten prapa në mësime dhe më vonë pasi të rriten mund të kenë vështirësi punësimi. Nëse nuk diktohet heret kjo rënie e aftësisë së dëgjimit, do të krijojë problemet e lart përmendura, prandaj sot është e detyrueshme që çdo i porsalindur t’i nënshtrohet ekzaminimit të dëgjimit (otoemisionet akustike) me qëllim që ato raste që zbulohen me rënie dëgjimit të fillojnë riaftësimin që në moshë të hershme.

Rreziqe të shëndetit si pasojë e rënies së dëgjimit

Siç u tha edhe më lart, një rënie e aftësisë së dëgjimit që nuk trajtohet në kohë sjell reduktimin e cilësisë së jetës, si te fëmijtë ashtu dhe në të rritur. Këto subjekte janë gjithnjë nën stress, çka mund të ndikojë në gjëndjen e përgjithshme si rritja e tensionit të gjakut, depression, lodhje, tërheqje në vetvete deri në humbje të kujtesës.

A mund të parandalohet rënia e aftësisë së dëgjimit

Duke marrë në konsideratë shkaktarët e rënieve të aftësisë së dëgjimit, jo në të gjitha rastet mund të merren masa për parandalimin e rënieve të dëgjimit. Siç është theksuar, një ndër shkaqet kryesore të rënies së dëgjimit eshte ekspozimi ndaj zhurmave. Në këtë rast mund të bëhet fjalë për masa parandaluese.Është provuar që zërat shumë të lartë mund të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme qelizat e koklesë, duke shkaktuar kështu një rënie dëgjimi permanente. Bile, edhe zëra jo shumë të lartë, por të dëgjuara nga veshi periodikisht dhe për një kohë të gjatë mund të shkaktojnë rënie dëgjimi. Lind pyetja se cila është ajo masë e zërit që mund të dëmtojë dëgjimin tonë? Studimet tregojnë që masa e zërit që mund të dëmtojë veshin është e barabartë ose më e lartë se 80 dB. Për të kuptuar se sa është 80 db, më poshtë tregohen se sa është masa e disa zërave (tingujve) që hasen në jetën e përditëshme:

 

Në lidhje me ekspozimin ndaj zhurmave duhet të kihet parasysh që të vendosen tapa bllokuese të zhurmës brënda veshëve apo kufje, sa herë që zhurma rrethuese është e tillë , që për të folur me dikë tjetër duhet të ngrihet zëri shumë, pavarësisht se për çfarë zhurme bëhet fjalë. Për sa më sipër bëhet fjalë për zhurmat e vazhdueshme, por nuk mund te rrimë pa përmendur edhe ruajtjen nga zhurmat e mëdha të befasishme (shashka e fishekëzjarre) që tashmë janë bërë të zakonëshme gjatë festimit të Vitit të Ri.

Duhet theksuar se është shumë e rëndësishme që të merren masa të menjëherëshme pas diktimit të rënies së dëgjimit, duke parandaluar kështu keqësimin e saj. Nëse ju jeni një bashkeshort, prind, mik, apo bir i një personi me rënie dëgjimi, ndihma juaj për të nuk është përsëritja disa herë e bisedës me të, nuk është ngritja e zërit që ai/ajo të dëgjojë më mirë, apo nuk është përkthimi i bisedave të të tjerëve. Në këtë rast ju nuk e ndihmoni ate, por në mënyrë të pavetëdishme zgjatni kohën e zgjidhjes së problemit. Ajo që duhet të bëni është: Këmbëngulja për të shpjeguar dëmtimin e tij, si ndikon ky dëmtim i dëgjimit në relacionet tuaja me të dhe nevojën e domosdoshme për tu paraqitur tek specialisti.

Studimet tregojnë që:

· Vendosja e aparatit të dëgjimit përmirëson mardhëniet në familje

· Vendosja e aparatit të dëgjimit redukton stresin, mërzinë, izolimin e të dëmtuarit dhe nervozizmin e tij

· Shumica e atyre që vendosin aparat dëgjimi, përmirësojnë jetën e tyre sociale

· Ata që vendosin aparat dëgjimi janë më të shëndetshëm se ata që nuk e bëjnë këtë hap

· 90% e përdoruesve të aparatit të dëgjimit raportojnë një përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetës