SI TË PASTRONI VESHËT TUAJ

 

 

Në kundërshtim me ate çka besohet në masë,  përdorimi i kotonçinave (steka të vogla me pambuk të mbështjellë në majë) për pastrimin e dyllit në vesh, nuk është mënyra më e mirë për të pastruar veshët tuaj. Ato jo vetëm që nuk e pastrojnë dyllin, por e thajnë dhe e ngjeshin më thellë në kanalin e veshit. Mjekët nuk këshillojnë futjen e objekteve të tilla të huaja në vesh, sepse mund të dëmtojnë si muret e kanalit ashtu dhe lodrën e veshit. Nëse dëmtimi do të jetë edhe më i thellë, mund të shkaktojë  humbje të rënda të dëgjimit.

Ç’është bllokimi i veshit

Nëse dylli i veshit thahet dhe shtyhet në thellësi të kanalit të veshit, do ta bllokojë ate e për pasojë subjekti do të ankojë rënie të aftësisë së dëgjimit, zhurmë në vesh, ndjenjën e rëndimit të veshit, nganjëherë marrje mendsh dhe dhëmbje koke.  Kur ankesat arrijnë në këtë pikë është e nevojshme vizita te mjeku, në mënyrë që shbllokimi i veshit të bëhet në mënyrë profesionale. Dylli është prodhim normal i veshit, por kur veshi ngacmohet (kruhet apo tentohet të pastrohet joprofesionalisht) shtohet prodhimi i tij. Po kështu, subjektë që mbajnë kufje apo aparate dëgjimi duhet të kontrollojnë herë pas here veshët te mjeku, sepse dylli grumbullohet në veshët e tyre, duke bllokuar kanalin e veshit, po ashtu kufjen apo aparatin e dëgjimit.

Si duhet të pastrohen veshët?

Nuk është e nevojshme që veshët të pastrohen shpesh siç bëjmë dush apo lajmë dhëmbët. Lëvizjet e nofullës gjatë përtypjes, të folurit apo hapjes së gojës, bëjnë që dylli i veshit të dalë nga kanali i veshit. Me një shami apo kartëpecetë të lagur fshijmë gropën e veshit. Ndërsa pastrimi i kanalit të veshit duhet të kryhet nga profesionist otorinolaringolog, që kanë mjetet e duhura për të kryer këtë pastrim. Nëse dylli është ngjeshur në kanalin e veshit, e bllokon ate. Në raste të tilla duhet që para pastrimit dylli të zbutet me ujë të sapunisur ose vaj ulliri; 4-5 pika në vesh, një natë para pastrimit. Në njerëz që vuajnë nga diabeti, që kanë probleme imunodefiçience apo otit kronik, pastrimi duhet bërë nga mjeku specialist.

Subjektë që mbajnë aparate dëgjimi, sa herë që e nxjerrin ate nga veshi duhet ta pastrojnë me mjetet që përmban kutia e aparatit. Përdorimi i aparatit të dëgjimit nuk lejon daljen e dyllit nga veshi, madje e ngjesh edhe më shumë. Jo vetëm që aftësia e dëgjimit bie, por edhe aparati mund të bllokohet. Prandaj kontrolli te mjeku këshillohet të bëhet sëpaku një herë në tre muaj.