Çfarë duhet të dini për shkaqet virale të humbjes së dëgjimit

Rënia e aftësisë së dëgjimit nuk shkaktohet vetëm nga pleqëria, por mund të shkaktohet nga shumë faktorë, duke përfshirë edhe sëmundjet nga viruset. Cilat viruse shkaktojnë humbje të dëgjimit dhe cilat janë simptomat?
• Rreth dëgjimit
Është një keqkuptim i zakonshëm që humbja e dëgjimit mund të shkaktohet vetëm nga ekspozimi ndaj zhurmave të larta, pleqëria ose dëmtimi para lindjes. Megjithatë, shumë njerëz përjetojnë humbje të dëgjimit edhe për shkak të infeksioneve. Shumë nga këto infeksione shkaktohen nga viruse që prekin koklenë (veshi i brendshëm), enët e gjakut në vesh ose pjesë të tjera të trupit që kanë të bëjnë me dëgjimin.
Një person mund t’i mbijetojë një infeksioni viral serioz të fëmijërisë dhe të përfundojë me humbje të thellë të dëgjimit apo edhe shurdhësi të plotë, por një tjetër mund të përjetojë një virozë me humbje dëgjimi më vonë gjatë jetës.
Nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për të shmangur humbjen e dëgjimit pasojë e një viroze, por qëndrimi vigjilent dhe njohja e hershme e simptomave të sëmundjeve virusale mund t’i parandalojë ato të dëmtojnë më tej. Diagnoza dhe trajtimi i duhur janë gjithashtu të nevojshme, kështu që është mirë të dihet se çfarë lloj virusesh shkaktojnë kryesisht humbje të dëgjimit.
• Çfarë lloj virusesh shkaktojnë humbje të dëgjimit?
Lloje të ndryshme sëmundjesh virale mund të shkaktojnë humbje të dëgjimit, por ekzistojnë dy kategori për klasifikimin e viruseve që kanë këtë efekt. Disa viruse mund të shkaktojnë humbje kongjenitale të dëgjimit, ndërsa të tjerët shkaktojnë humbje të fituar të dëgjimit më vonë gjatë jetës. Kur kemi të bëjmë me humbjen e dëgjimit, këto kategori i ndihmojnë mjekët të përcaktojnë se çfarë infeksioni viral shkaktoi këtë dëm.
Disa nga këto infeksione janë të rralla, të tjerë mund të jenë më të përhapura. Për shembull, Cytomegalovirus, një virus që shkakton humbje kongjenitale të dëgjimit tek fëmijët, prek rreth një në çdo 100 foshnja.
• Viruset që shkaktojnë humbje të dëgjimit
Viruse që shkaktojnë humbje dëgjimi të tipit sensorineural në fëmijë mund të përfshijnë:
• Fruthi gjerman, ose rubeola. Rubeola transmetohet përmes lëngjeve si gëlbaza dhe pështyma. Nëse një nënë është e infektuar me Rubeolën gjatë shtatzënisë, fëmija i saj rrezikohet të marrë formën e lindur të humbjes së dëgjimit. Humbja e dëgjimit zakonisht konstatohet rreth 6-12 muaj pas lindjes.
• Citomegalovirus. Është përgjegjës për shumicën e rasteve jogjenetike të shurdhësisë te foshnjat dhe fëmijët. Për këtë arsye, është e rëndësishme që prindërit të jenë vigjilentë ndaj një infeksioni të tillë.
Fëmijët dhe të rriturit që vuajnë nga humbje dëgjimi sensoroneurale gjithashtu mund ta kenë pësuar nga viruset e mëposhtëm:
• Llojet 1 dhe 2 të HSV (Virusi i herpesit të thjeshtë). Të dy i përkasin familjes së herpesviruseve dhe ky virus mund të shfaqet te fëmijët dhe të rriturit. Të rriturit mund ta marrin këtë virus përmes kontaktit, ndërsa fëmijët nga nëna me HSV1 ose HSV2 pozitiv, pra mund të infektohen gjatë shtatzanisë.
• Virusi (HIV). Një virus i njohur që shkakton SIDA. Rreth 2/3 e fëmijve me HIV pozitiv vuajnë nga shurdhësitë neurosensoriale.
Grup tjetër virusesh që shkaktojnë humbje të fituar të dëgjimit, pra gjatë jetës janë:
• Virusi Varicella Zoster (VZV). Një virus që i përket gjithashtu familjes së herpesit. VZV mund të shkaktojë probleme me nervat e fytyrës, kanalit të dëgjimit dhe gjuhës. Në disa raste kur preket dhe aftësia e dëgjimit , përdorimi i kortikosteroideve dhe antiviralëve e kthejnë dëgjimin.
• Fruthi (Rubeola). Një virus që përbën shkak në 5-10% të të gjitha rasteve të humbjes së thellë të dëgjimit. Vaksinimi pothuajse zhduku fruthin në vendin tonë, por vitet e fundit kanë ndodhur raste sporadike edhe te ne.
• Shytat. I përket së njëjtës familje që përfshin fruthin, por mund të shkaktojë një sërë problemesh, përfshirë rënien deri në humbjen e plotë të aftësisë së dëgjimit. Me diagnozën e hershme dhe trajtimin e duhur, ekziston mundësia që kjo humbje dëgjimi të kthehet, por në disa raste mbetet e përhershme.
• Pse humbja e papritur e dëgjimit kërkon trajtim
Nëse humbja e dëgjimit ndodh në mënyrë të menjëhershme në një apo në të dy veshët, është e rëndësishme që të merret seriozisht kjo gjëndje. Nëse vonohet, gjendja mund të përkeqësohet shpejt deri në humbjen e plotë e të përhershme të dëgjimit. Për të shmangur dëmtimin e dëgjimit dhe për të kthyer aftësinë e dëgjimit këshillohet vizitë pranë mjekut ORL, mundësisht sa më parë, pa kaluar javën. Humbja e menjëhershme e dëgjimit konsiderohet urgjencë mjekësore.
• Parandalimi i shurdhimit dhe humbjes së dëgjimit
Nuk ka mënyra të sigurta për të parandaluar humbjen e dëgjimit dhe shurdhimin nga sëmundjet virusale. Në rastet kongjenitale nuk ka hapësirë për parandalim, veçanërisht nëse nëna nuk është e vetëdijshme se është bartëse e një virusi. Po kështu, mund të jetë e vështirë të dihet prania e një virusi latent, pasi ato tregojnë pak ose aspak simptoma. Testimi i rregullt qëndron në krye të shëndetit dhe është masa më e mirë parandaluese në këto raste. Mbi gjithçka është vaksinimi ndaj sëmundjeve të lartpërmendura, që në vendin tonë ka qenë i detyrueshëm, por këto 20 vitet e fundit ka pasur një shmangie nga ana e prindërve nga përhapja disa teorive “konspirative”, që gjoja vaksinimi bëhet shkak për autizëm. Në veçanti bëhet fjalë për fruthin.

Signia Hearing Aids

Leave a Comment

(0 Comments)

Your email address will not be published. Required fields are marked *